Secondary Adv

Çmimet e shportës ushqimore, sa ndyshojnë çmimet sipas supermarketeve

Shporta me 11 produkte bazë kushton nga 1,720 në 1,853 lekë, sipas krahasimit të çmimeve në tre supermarkete.

Çmimet e produkteve ushqimore vijojnë të ndryshojnë nga një rrjet supermarketesh në tjetrin, pavarësisht kërkesës së qeverisë për mbajtjen e çmimeve të ulëta për një periudhë tremujore. Një krahasim i realizuar nga aplikacioni “Krahaso” tregon se për të njëjtën shportë ushqimore, konsumatorët mund të paguajnë deri në 133 lekë më shumë, në varësi të supermarketit ku kryejnë blerjet.


Sipas të dhënave të publikuara nga aplikacioni, bazuar në çmimet që vetë rrjetet tregtare kanë raportuar në platformën qeveritare “Pasqyra e Çmimeve” të Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit, një shportë me 11 produkte bazë kushton 1,720 lekë në SPAR, 1,752 lekë në Xhangolli dhe 1,853 lekë në Conad.


Diferenca mes shportës më të lirë dhe asaj më të shtrenjtë arrin në 133 lekë, ose 7,2 për qind. Krahasimi përfshin produkte të konsumit të përditshëm, si qumësht, vezë, miell, sheqer, vaj luledielli, makarona, kos dhe gjalpë.


Për të siguruar një krahasim sa më të saktë, aplikacioni ka përzgjedhur të njëjtat marka dhe sasi produktesh. Për artikujt e bulmetit janë marrë në konsideratë edhe karakteristikat e përbërjes, përfshirë përqindjen e yndyrës. Nga të dhënat rezulton se diferencat më të mëdha të çmimeve vërehen te disa produkte të markave të importuara.


Gjalpi, makaronat dhe qumështi me diferencat më të mëdha të çmimeve

Një nga diferencat më të dukshme është regjistruar te gjalpi i markës “Lurpak”, në paketimin 200 gramë. Ky produkt kushton 285 lekë në supermarketin Xhangolli dhe 335 lekë në Conad, me një diferencë prej 50 lekësh.


Edhe makaronat Barilla nr. 5, në paketimin 500 gramë, kanë çmime të ndryshme. Në SPAR ato shiten për 90 lekë, ndërsa në Conad për 119 lekë, ose 29 lekë më shumë.


Një tjetër diferencë është evidentuar te qumështi Parmalat, në paketimin 1 litër, i cili kushton 230 lekë në SPAR dhe 249 lekë në Conad, me një ndryshim prej 19 lekësh.


Megjithatë, pavarësisht diferencave mes rrjeteve tregtare, vlera totale e shportës ushqimore ka mbetur e pandryshuar krahasuar me javën e mëparshme në të tria supermarketet. Sipas aplikacionit “Krahaso”, asnjë nga 11 produktet e përfshira në këtë krahasim nuk ka regjistruar ndryshim çmimi gjatë periudhës së monitoruar.


Big Market dhe Extramarket raportojnë çmime për një pjesë të produkteve

Në krahasimin e realizuar nga aplikacioni “Krahaso”, rrjetet Big Market dhe Extramarket kanë raportuar në platformën qeveritare çmime vetëm për një numër të kufizuar produktesh nga shporta e përzgjedhur.


Në Big Market, sheqeri Ferra Classic kushton 75 lekë, ndërsa vaji i lulediellit Floriol shitet për 219 lekë. Ndërkohë, në Extramarket, vezët Aiba në paketimin me 10 copë kushtojnë 180 lekë, ndërsa vaji i lulediellit Floriol 199 lekë.


“Krahaso” sqaron se të dhënat e përdorura nuk bazohen në matje të drejtpërdrejta të çmimeve në dyqane, por në informacionin që vetë rrjetet e supermarketeve raportojnë në platformën “Pasqyra e Çmimeve” të Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit.


Sipas metodologjisë së platformës, çmimet e një rrjeti publikohen kur ato janë të vlefshme në të paktën 80 për qind të dyqaneve të tij. Për këtë arsye, në pika të veçanta shitjeje mund të ketë ndryshime nga çmimet e raportuara.


Platforma qeveritare publikon çmimet e 238 produkteve në 155 dyqane

Publikimi i çmimeve të produkteve ushqimore në platformën qeveritare “Pasqyra e Çmimeve” nisi në mesin e muajit tetor, si pjesë e nismës për rritjen e transparencës së çmimeve në treg.


Në platformë janë pasqyruar çmimet e 238 produkteve nga pesë rrjete supermarketesh: Big Market, Conad, Extramarket, SPAR dhe Xhangolli.


Të dhënat përfshijnë gjithsej 155 dyqane, nga të cilat 109 ndodhen në Tiranë. Publikimi i çmimeve synon t'u krijojë konsumatorëve mundësinë të krahasojnë ofertat e rrjeteve tregtare përpara se të kryejnë blerjet.


Krahasimi i parë i Monitor, diferenca e shportës arrinte në 813 lekë

Përpara krahasimit të realizuar nga aplikacioni “Krahaso”, Monitor kishte analizuar çmimet e një shporte ushqimore me 10 produkte bazë, duke përfshirë artikuj si miell, oriz, makarona, vaj luledielli, sheqer, qumësht, kos, gjalpë dhe vezë.


Nga përllogaritjet e kryera në atë krahasim, shporta me vlerën më të ulët rezultonte në rrjetin SPAR, me një kosto prej 1,412 lekësh. Ndërkohë, vlera më e lartë për shportën e përzgjedhur arrinte në 2,225 lekë dhe ishte regjistruar në rrjetin Conad.


Diferenca mes shportës më të lirë dhe asaj më të shtrenjtë rezultonte 813 lekë, ose rreth 58 për qind. Megjithatë, ky krahasim përfshinte produkte që nuk ishin domosdoshmërisht identike për nga marka, origjina dhe karakteristikat e tjera.


Sa u përket shportave të pjesshme, ku platforma kishte të dhëna për nëntë nga 10 artikujt e përzgjedhur, rrjeti Xhangolli rezultonte me vlerën më të ulët, prej 1,221 lekësh.


Në Big Market, nëntë artikujt kushtonin 1,266 lekë, ndërsa në Extramarket vlera arrinte në 1,519 lekë. Diferenca mes shportës së pjesshme më të lirë dhe asaj më të shtrenjtë ishte 298 lekë, ose rreth 24 për qind.


Conad kundërshton krahasimin e produkteve me marka dhe cilësi të ndryshme

Pas publikimit të krahasimit fillestar, rrjeti i supermarketeve Conad sqaroi se produktet e përfshira në dy shportat e analizuara nuk ishin identike ose domosdoshmërisht të krahasueshme për sa u përket markës, origjinës, përbërjes, specifikimeve dhe karakteristikave të tjera që ndikojnë në çmim.


Sipas kompanisë, fakti që dy produkte i përkasin së njëjtës kategori dhe kanë të njëjtën peshë nuk nënkupton se ato janë të barasvlershme, pasi dallimet në cilësi dhe pozicionimin në treg mund të ndikojnë drejtpërdrejt në çmimin përfundimtar.


“Fakti që dy produkte i përkasin së njëjtës kategori dhe kanë të njëjtën peshë nuk do të thotë domosdoshmërisht se janë të barasvlershme. Dallimet në markë, cilësi, origjinë dhe pozicionim në treg mund të reflektohen në çmimin përfundimtar. Për këtë arsye, krahasimi i produkteve të segmentit ekonomik me markat premium, pa marrë në konsideratë karakteristikat e tyre specifike, nuk krijon domosdoshmërisht një bazë të drejtë krahasimi”, sqaron Conad.


Kompania thekson se për të kuptuar diferencat e çmimeve në kategori si orizi, qumështi apo gjalpi, është e rëndësishme të identifikohen produktet konkrete dhe markat mbi të cilat janë mbështetur përllogaritjet.


“Produkte të markave të ndryshme mund të kenë karakteristika dhe pozicionime të ndryshme në treg, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në çmimin e tyre”, nënvizon rrjeti i supermarketeve.


Në këtë kontekst, Conad vlerëson se një krahasim objektiv duhet të mbështetet në produkte identike, kur kjo është e mundur, ose në alternativa të barasvlershme për nga cilësia dhe segmenti i tregut, duke përdorur të njëjtat sasi reference dhe çmime të evidentuara gjatë së njëjtës periudhë.


Krahasimi më i fundit i aplikacionit “Krahaso”, i cili përfshin të njëjtat marka, sasi dhe karakteristika produktesh, evidenton një diferencë prej 133 lekësh mes shportës më të lirë dhe asaj më të shtrenjtë në tre rrjetet e analizuara, ndërsa çmimet e 11 produkteve kanë mbetur të pandryshuara gjatë javës së monitoruar.


Burimi: Monitor


Më të lexuarat